Vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pezulluar dialogun strategjik me Kosovën po konsiderohet brengosës.
Gjatë ditës së sotme Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë pezulluar dialogun strategjik me Kosovën. Në njoftimin e Ambasadës në Facebook thuhet se kjo për shkak të veprimeve të qeverisë së Kosovës.
Ndërsa, vendimi i ShBA-ve është komentuar edhe nga Qeveria në detyrë e Kosovës ku është thënë se mirëpresim edhe kritikat dhe kurdo që janë konkrete përpiqen maksimalisht të përmirësojnë dhe korrigjojnë hapat e veprimet e tyre.
Profesori i së drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu konsideron se krerët shtetëror duhet ta trajtojnë me seriozitet këtë vendim të aleatit kryesor të Kosovës.
Baraliu vlerëson se kjo situatë duhet të riparohet sa më parë.
“Duke parë si diçka brengosëse dhe shqetësuese nëse është zyrtare, nëse është burimi nga State Departamenti Amerikan e dyta do të duhej ditur se për çfarë është fjala, për çfarë dialogu. Nuk ka se për çfarë të zhvillohet dialog përveçse marrëdhëniet diplomatike nuk nënkuptojnë dialog ato nënkuptojmë marrëdhënie të bazuara në Konventën e Vjenës ku detyra e një ambasade dhe ambasadori ose të ngarkuari me punë është e caktuar dhe ka limite. Ne me shtete tjera nuk kemi dialog, aq më tepër dialog të tillë që quhet strategjik. Por, sidoqoftë duhet të jetë brengosëse dhe shqetësuese kur në një mënyrë apo tjetër një shtet kaq i rëndësishëm që është eksponenti kryesor i aleancës strategjike të Kosovës, dhe do të duhej të ishte me SHBA dhe shtetet e QUINT-it dhe gjitha shtetet mundësisht të perëndimit pastaj që të ketë një pezullim të tillë. Kjo duhet të merrej si alert si diçka që do të duhej të merrej shumë seriozisht dhe të riparohej sa më parë dhe se nuk konsiderohen marrëdhëniet e tilla si normale nëse ka dialog strategjik”, theksoi ai për KosovaPress.
Pas vendimit të SHBA-ve për të pezulluar dialogun strategjik me Kosovën, liderët e partive opozitare në vend, PDK, LDK e AAK kanë zhvilluar takim me përfaqësues të SHBA-në në Ambasadën Amerikane në Kosovë.
Ende nuk dihet se çfarë është diskutuar.
Karshi vendimit të SHBA-së reagoi edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shprehur keqardhje dhe shqetësim të thellë rreth vendimit për pezullimin e Dialogut Strategjik, një mekanizëm i rëndësishëm i bashkëpunimit në mes Kosovës dhe ShBA-ve.












 
							 
							 
							 
							 
			 
			 
			 
			 
			 
			