Startseite » Pse SHBA-ja po tërhiqet nga negociatat Ukrainë-Rusi?
Lajme

Pse SHBA-ja po tërhiqet nga negociatat Ukrainë-Rusi?

Rusia po e zvarrit ndërsa Ukraina i tha po marrëveshjes për armëpushim, të propozuara nga amerikanët. Donald Trump humb durimin me palët – Amerika tërhiqet nga procesi i paqes, por jo edhe nga mbështetja për Kievin – veçanërisht pas marrëveshjes për mineralet që i solli SHBA-së përfitime të prekshme gjeostrategjike dhe ekonomike.

Pas më shumë se 100 ditësh përpjekjesh për të arritur një armëpushim mes Rusisë dhe Ukrainës, lideri amerikan mori një vendim të prerë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të luajnë më rolin e ndërmjetësit në bisedimet për paqe.

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Tammy Bruce, kishte specifikuar se Shtetet e Bashkuara “mbeten të përkushtuara për të mbështetur përpjekjet e paqes në Ukrainë, por do ta zvogëlojnë rolin e tyre të drejtpërdrejtë si ndërmjetës”, shkruan thetelegraph.

Presidenti Trump “gjithashtu e di se ekziston një pjesë tjetër e botës, një glob i tërë që ka nevojë për vëmendje. Ne nuk kemi ndërmend të fluturojmë papritur në anën tjetër të botës për të ndërmjetësuar takime. Ky është një problem për të dyja palët dhe është koha që ato të paraqesin dhe zhvillojnë ide konkrete se si t’i japin fund këtij konflikti”.

Vendimi vjen në një kohë kur Rusia ka refuzuar propozimin amerikan për një armëpushim 30-ditor, ndërsa Ukraina e ka pranuar pa kushte.

Trump gjithashtu është zemëruar edhe më shumë me zvarritjet e presidentit rus, Vladimir Putinit, ku shprehu publikisht dyshimet për qëllimet e tij.

“Ndoshta nuk dëshiron fare ta ndalë luftën, vetëm po më mashtron”, shkroi ai në rrjetin Truth Social.

Në prapaskenë qëndron edhe ndjenja se SHBA tashmë ka bërë mjaftueshëm.

“Dhamë maksimumin tonë. Njerëzit më të mirë punuan për këtë për 100 ditë”, deklaroi Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio dhe shtoi se “është koha të përqendrohemi edhe në sfida të tjera globale”.