Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka dalë në një konferencë shtypi pas shpërthimit që ka ndodhur mbrëmjen e 29 nëntorit në fshatin Vragë të Zubin Potokut ka dëmtuar kanalin e ujit Ibër-Lepenci.
Kurti ka deklaruar se dyshojnë se sulmet e fundit kanë ardhur nga Serbia.
“Sulme kriminale terroriste që ne besojmë që na vijnë nga fqinji verior”, tha ai.
“Sonte ishte sulmi më i rëndë, ku me mjete shpërthyese u dëmtua kanali i Ibër – Lepencit prej nga furnizohen me ujë disa qytete në Kosovë, si dhe KEK-u për ftohjen e termoelektranave në prodhimin e energjisë elektrike. Ky është sulm kriminal dhe terrorist që ka synuar të dëmtojë infrastrukturën tonë kritike, mbase më të rëndësishme që kemi”, shtoi Kurti.
Kurti ka ftuar qytetarët që të jenë të qetë dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve.
“Sulmi është kryer nga njerëz profesionist, që ne dyshojmë se kanë ardhur nga bandat nga Serbia…Nëse dëmi nuk riparohet atëherë një pjesë e Kosovës rrezikon të mbetet pa energji elektrike që në mëngjes. Disa qytete dhe Prishtina rrezikojnë të mbeten pa ujë të pijshëm”, ka deklaruar Kurti.
Edhe presidentja Osmani, ka reaguar pas shpërthimit të sotëm në kanalin e Ibër – Lepencit, duke thënë se bandat kriminale serbe kanë humbur çdo betejë me institucionet e Kosovës dhe se kushtetutshmëria dhe ligjshmëria do të mbrohet në çdo cep të vendit.
Osmani ka thënë se “[bandat kriminale serbe] Do të humbin sërish, në përpjekjet e tyre qyqare për të sulmuar infrastrukturën jetike të Republikës sonë nëpërmjet akteve terroriste”.
Ujësjellësi rajonal Mitrovica njoftoi se ka ndërprerë furnizimi me ujë të pijes për shkak të dëmtimit të kanalit. /Telegrafi/