Startseite » Nëse jo Kurti, kush duhet ta formojë Asociacionin?
Lajme

Nëse jo Kurti, kush duhet ta formojë Asociacionin?

Çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është ndër temat e pakta, për të cilën flitet gati çdo javë dhe që secilën herë bëhet lajm.

Të gjithë kanë qëndrime për të dhe e komentojnë. Për të janë arritur marrëveshje e janë përpiluar propozime. Por, zgjidhja përfundimtare nuk është arritur kurrë.

Asociacioni u riaktualizua më 29 tetor, kur shefi i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti, tha para mediave se, si kryeministër i një republike demokratike, nuk mund të formojë asociacione të komunave.

“Komunat asociohen me njëra-tjetrën, koordinohen, bashkëpunojnë. Ju tashmë e dini që ne e kemi një Asociacion të Komunave të Kosovës. Nëse dikush e dëshiron një asociacion tjetër, atëherë kjo duhet të vijë nga komunat… nëse kryeministri do të themelonte asociacion të komunave, ky do të ishte një imponim ndaj komunave”.