Sport

Mediat italiane: Shpendi “tradhton” Kombëtaren

Ende asnjë kërkesë zyrtare, por ka një ndjenjë shprese se mund të arrihet. Cristian Shpendi mund të ndryshojë kombëtare dhe të përfaqësojë Italinë. Lajmi bëhet i ditur nga gazetari italian, Gianluca di Marzio, i cili sugjeron futbollistin e përfaqësueses kuqezi U-21 si idealin për të zgjidhur problemin e golit. 21-vjeçari i lindur dhe rritur në Itali ka dy shtetësi dhe nuk e ka mohuar asnjëherë faktin që mund të kalojë në radhët e Italisë. Cristian Shpendi po përjeton një periudhë tepër të mirë sidomos në dy sezonet e fundit.

Me 20 golat e realizuar edicionin e shkuar, 21-vjeçari kuqezi ndihmoi Cezenën për t’u ngjitur në Serie B, teksa në këtë sezon ka shënuar 6 herë në 10 ndeshje kampionati, duke qenë edhe golashënuesi momental. Në total, sulmuesi ka realizuar në total 30 gola me fanellën bardhezi, për të vendosur edhe rekord absolut.

Nga gushti i vitit 2023 deri më sot, asnjë futbollisti që zotëron pasaportë italiane nuk ka shënuar më shumë se sulmuesi i Cezenës. Performanca e Shpendit sigurisht nuk ka kaluar pa u vënë re, me Federatën Italiane që mund të nis nga puna për ta bindur të vishet Axurrë. Me kombëtaren shqiptare, Shpendi ka luajtur në total 10 ndeshje ku ka shënuar 4 herë. Një lajm që duhet të gjej edhe reagimin e Sylvinhos, që duhet ta aktivizojë në të paktën 3 ndeshje me kombëtaren e madhe për të mbyllur këtë operacion që mund të na prish jo pak planet e së ardhmes.