Lajme

Mbrojtja e Krasniqit përfundon fjalën për sot, të hënën vazhdon

Seanca e sotme në Speciale ka përfunduar.

Mbrojtja e Jakup Krasniqit e nisi fjalën e fundit për disa orë, ndërsa të hënën do të vazhdojë me pjesën e fundit.


Mbrojtja e Krasniqit: Prokuroria po fshihet pas supozimeve dhe spekulimeve

Avokatja e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra, ka hedhur poshtë pretendimin e prokurorisë se Jakup Krasniqit i është dhënë ndonjë raport inteligjence.

Gjatë fjalës përfundimtare të mbrojtjes, avokatja Alagendra tha po ashtu se Prokuroria ka pretenduar se Ferat Shala ka shoqëruar Jakup Krasniqin në zona.

“Edhe ky është një shembull i qartë i prokurorisë që fshihet pas hamendësimit. Nëse Prokuroria pretendon se Shala i ka dhënë informacion zbulim-kundërzbulimi për krime zotit Krasniqi, këtë duhet ta thotë troç. Por, meqë nuk ka prova të tilla, Prokuroria preferon që të fshihet pas supozimeve dhe spekulimeve për gjëra që nuk i provon dot. Prokuroria nuk e ka thirrur zotin Ferat Shala si dëshmitar, ndërkohë që në poshtëshënimin e saj, përfshihen tre referenca që e lidhin atë në zonat e Shalës në janar 1999. Ky rast e keqinterpreton insinuimin se Ferat Shala e ka shoqëruar Jakup Krasniqin në vizita. Kjo është tërësisht e pabazuar”, deklaroi Alagendra.

“Prokuroria pasuksesshëm u mundua të lidhte Shtabin e Përgjithshëm dhe Jakup Krasniqin me vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Biniqit në tetor 1998. Në veçanti prokuroria ka keqinterpretuar pasazhin e provave aktuale që lidhen me vrasjen e këtyre dy personave. Ne trajtojmë këtë incident në dosjen tonë. Përveç kësaj, sipas mendimit tonë, prokuroria i ka lënë qëllimisht disa aspekte të caktuara”, tha ajo, teksa kërkoi që rasti të kalojë në seancë të mbyllur.


Mbrojtja e Krasniqit: ZPS nuk vërtetoi autorësinë e materialeve të sekuestruara në shtëpinë e Krasniqit

Mbrojtja e Jakup Krasniqit ka nisur sot fjalën përfundimtare në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, raporton Klan Kosova.

Avokatja kryesore, Venkateswari Alagendra në hyrje të deklaratës së tij, ka kërkuar që Krasniqi të shpallet i pafajshëm për akuzat e ngritura nga Prokuroria e Specializuar.

Paraprakisht, gazetarja e Klan Kosovës, Rina Mujku direkt nga Specialja ka treguar se çka pritet të thuhet në fjalën e fundit të mbrojtjes së Krasniqit.

“Në qendër të Jakup Krasniqit, ka qenë e planifikuar të kundërshtohen dhe të sfidohen pikat e harxhuara nga mbrojtja e Hashim Thaçit dhe Kadri Veseli, e çështja e Bislim Zyrapit, shef i Shtabit të Përgjithshëm, i cili është mbase të jetë në qendër të dosjes së Prokurorisë, si dëshmitari kryesor i tyre, mirëpo nuk e ka vërtetuar në asnjë moment që ka pasur qëllim të përbashkët kriminal. Gjithsesi, ka një mal me prova të pretenduara të Prokurorisë, që do t’i sfidojë mbrojtja e Krasniqit. Por pika kryesor janë komunikatat e lëshuara, sepse edhe sipas ZPS, kur e ka përmendur Krasniqin dhe përfshirjen e tij në krime, ka qenë pikërisht nënshkrimi i disa komunikatave, roli i tij si zv/komandant dhe emërimi i disa komandantëve të zonave, duke u munduar t’ia atribuojnë edhe një përgjegjësi komanduese që ka pasur.” – tha Mujku.


Mbrojtja e Krasniqit: Pse t’i mbante materialet nëse do të ishin pjesë e një ndërmarrjeje kriminale?

Avokatja e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra, tha se fakti që Jakup Krasniqi nuk i ka shkatërruar materialet që “mund ta inkriminojnë”, duhet parë si gjë pozitive.

“Nëse Krasniqi do të kishte menduar se materialet hulumtuese dhe dokumentet e tjera në shtëpinë e tij do të ishin pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale, ku bënte pjesë edhe ai, apo që ishin inkriminuese për të, pse t’i mbante ato?” ka thënë Alagendra.

“Fakti që i mbajti dhe nuk i shkatërroi duhet parë në favor të tij sepse ai është i bindur që është i pafajshëm”, tha ajo.

Ajo vijoi duke thënë që fjalët e Krasniqit janë shtrembëruar nga Prokuroria, duke thënë që Krasniqi e ka pranuar që këto dokumente ishin të tij.

“Ai asnjëherë nuk ka thënë se materialet e gjetura në shtëpinë e tij kanë qenë të shkruara prej tij”, ka thënë Alagendra.

“Ai në fakt ka pranuar se ka bërë disa shënime për të shkruar një libër, por kjo nuk do të thotë se domosdo materialet ishin për konfliktin”.

“I përket Prokurorisë të vërtetojë se këto dokumente lidhen me akuzat përfshirë autorësinë e Krasniqit dhe të vërtetojnë autenticitetin dhe besueshmërinë e dokumenteve, diçka që nuk e kanë bërë deri më tash”.


“Analizoni provat, jo spekulimet e Prokurorisë” – mbrojtja e Krasniqit me kërkesë ndaj gjykatës

Avokatja e Mbrojtjes së Jakup Kraniqit, Venkateswari Alagendra, deklaroi para trupit gjykues se mbrojtja është e bindur që vendimi do të bazohet në prova dhe dokumentacionin e paraqitur gjatë procesit.

Ajo tha se është e rëndësishme që trupi gjykues të vlerësojë me kujdes argumentet e prokurorisë, duke pasur parasysh, sipas saj, përdorimin e spekulimeve dhe mungesën e lidhjes logjike ndërmjet provave të paraqitura, raporton Klankosova.tv.

“Ne jemi të bindur plotësisht se ju, z. gjykatës, do të analizoni provat aktuale, të gjithë dokumentacionin dhe të gjitha çështjet, dhe do ta shpallni z. Krasniqin jo përgjegjës për asnjërën nga akuzat e ngritura nga prokuroria. Ka pasur përpjekje të përsëritura nga prokuroria për ta lidhur Jakup Krasniqin me krime të akuzuara dhe ne parashtrojmë se këto përpjekje kanë dështuar. Kërkojmë nga ju, z. gjykatës, që të keni parasysh përdorimin e spekulimeve nga ana e prokurorisë dhe rëndësinë e vlerësimit të argumenteve të saj. Në të gjithë dosjen e prokurorisë nuk ekziston një marrëdhënie apo lidhje ndërmjet pjesëve të palidhura të provave, të cilat pretendohet se krijojnë bazë për lidhje me ngjarje të caktuara. Ato nuk kanë pikë lidhjeje. Emri i Jakup Krasniqit përmendet nëpër ngjarje që nuk kanë fare lidhje me të dhe për këtë arsye është e rëndësishme të vihet në dukje se qëllimi i prokurorisë duket të jetë thjesht përmendja e emrit të z. Krasniqit”, tha avokatja./Klankosova.tv


Avokatja e Krasniqit ia përplas në fytyrë ZPS-së: Një prokuror i përgjegjshëm s’do ta kishte ngritur kurrë këtë aktakuzë

Avokatja e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra, ka nisur deklaratën e saj përfundimtare, për të kundërshtuar pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, mbi të cilat janë ngritur akuzat ndaj tij.

Alagendra ishte e qartë se ZPS-ja po mbështetet në “spekulime dhe pretendime të pambështetura” në akuzat ndaj Krasniqit.

Sipas mbrojtjes, akuza e Prokurorisë ndaj Krasniqit për të ndaluarit në Malishevë, tregon shumë për prokurorin që e ka ngritur, transmeton Klankosova.tv

“Pas përfundimit të argumenteve të veta, Prokurori ka tërhequr pretendimin e vet se Jakup Krasniqi ka qenë i pranishëm dhe e ka vizituar dhomën ku kanë qenë të ndaluar persona të caktuar në Malishevë. Ky ishte i vetmi pretendim i Prokurorisë, që Jakup Krasniqi ka parë me sytë e tij një viktimë që ka qenë i mbajtur në ndalim. Një prokuror i përgjegjshëm nuk do të kishte ngritur kurrë një akuzë të tillë.”

Ajo thotë tutje se nuk ka asnjë dëshmitar që thotë se Krasniqi e ka keqtrajtuar.

“Të nderuar gjykatës, ju kërkoj që kur të shqyrtoni provat e paraqitura nga Prokuroria të mos harroni këto fakte. Në të gjitha provat nuk ka qoftë edhe një dëshmitar të vetëm që pretendon se Krasniqi e ka rrahur, e ka keqtrajtuar apo torturuar. Nuk ekziston një viktimë e vetme nga qindra dëshmitarë të Prokurorisë që pretendojnë ose akuzojnë Krasniqin që i ka rrahur abuzuar ose ka qenë i pranishëm kur ata janë keqtrajtuar. Kjo prokurori mbështetet kryesisht në spekulime dhe pretendime të pambështetura”, tha ajo, raporton Klankosova.tv

Prandaj, Alagendra e akuzoi zyrën e Kimberly West se ka përzgjedhur dokumente dhe pjesë të dëshmive të dëshmitarëve sipas interesave të saj, duke shtuar se ka injoruar pjesët e dëshmive që nuk i përshtaten ZPS-së.

“Këto po demonstrojnë se sa e papranueshme ka qenë qasja e prokurorisë ndaj dëshmive. Kjo aktakuzë nuk duhej të ishte ngritur fare. Ne parashtrojmë që Prokuroria do të duhej ta kishte tërhequr aktakuzën. Prokuroria vazhdoi që të qëndronte qëndrimit të vetë të pambështetur.“ /Klankosova.tv


Avokatja: Asnjë dëshmitar nuk e akuzon Krasniqin për rrahje apo keqtrajtim

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, avokatja e mbrojtjes, Venkateswari Alagendra, ka vijuar me fjalën përfundimtare në rastin ndaj Jakup Krasniqi, duke kërkuar nga trupi gjykues që ta shpallë atë të pafajshëm.

Gjatë paraqitjes së saj, Alagendra deklaroi se në dokumentacionin e prokurorisë nuk ekziston asnjë dëshmitar i vetëm që pretendon se Krasniqi ka rrahur, keqtrajtuar apo torturuar ndonjë person, qoftë civil apo tjetër.

“Në dokumentacion nuk ka qoftë edhe një dëshmitar të vetëm që pretendon se Jakup Krasniqi ka rrahur, keqtrajtuar apo torturuar ndonjë person, qoftë ky civil apo person tjetër. Nuk ekziston as edhe një viktimë e vetme, as një person i vetëm nga qindra dëshmitarë të intervistuar nga prokuroria për shumë e shumë vite, që pretendon apo akuzon Krasniqin se i ka rrahur, abuzuar apo se ka qenë i pranishëm kur ata janë keqtrajtuar në çfarëdo trajte apo forme”, tha avokatja. /Klankosova.tv


Mbrojtja kërkon pafajësi për Jakup Krasniqin: S’ka prova për akuzat e pretenduara

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, avokatja e mbrojtjes, Venkateswari Alagendra, ka nisur fjalën përfundimtare në rastin ndaj Jakup Krasniqi, duke kërkuar nga trupi gjykues shpalljen e tij të pafajshëm.

Para gjykatës, Alagendra deklaroi se shumë nga pretendimet e përfshira në raportet e mëhershme kanë qenë, sipas saj, “hiperbolike” dhe nuk kanë çuar në ngritjen e akuzave konkrete.

Ajo theksoi se në këtë proces gjyqësor nuk ekziston asnjë akuzë për trafikim organesh dhe se, sipas saj, raportet e përmendura nuk përfshijnë pretendime për vepra penale të kryera nga Krasniqi, raporton Klankosova.tv.

“Shumë prej pretendimeve hiperbolike të përfshira në atë raport nuk kanë çuar në ngritjen e akuzave. Siç e dini, nuk keni asnjë akuzë për trafikim organesh këtu para kësaj gjykate, dhe ky raport nuk përfshin asnjë pretendim për vepër penale të kryer nga Jakup Krasniqi.

Një gjë është e qartë, para pesë vitesh, Jakup Krasniqi është arrestuar dhe i është hequr liria. Ai ka qëndruar në objektin e paraburgimit për 1,126 ditë, larg bashkëshortes së tij, katër fëmijëve dhe njëmbëdhjetë nipërve e mbesave.

Ne me respekt parashtrojmë që ju, i nderuar gjykatës, të merrni vendim pafajësie për të gjitha akuzat e ngritura ndaj Jakup Krasniqit. Në fund të parashtrimit do t’ju bëjmë thirrje që, duke u mbështetur në prova, ta shpallni të pafajshëm z. Krasniqin. Lejojeni këtë 75-vjeçar të kthehet te familja e tij dhe të kalojë vitet që i ka caktuar Zoti pranë familjes”, tha Alagendra.