Lajme

Kurti dhe kryeministri kroat diskutojnë për një mbledhje të përbashkët mes qeverive

Kryeministri Albin Kurti është takuar me homologun e tij kroat, Andrej Plenkoviq.

Ata u takuan në ditën e dytë të Konferencës së Sigurisë në Mynih ku folën për situatën në rajon dhe zhvillimin e bashkëpunimit bilateral.

“Në ditën e dytë të Konferencës së Sigurisë në Mynih, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim bilateral me Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenković”, thuhet në komunikatën e kryeministrisë.

“Kryeministri Plenković shoqërohej edhe nga Ministri i Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Kroacisë, Gordan Grlić-Radman”.

“Kryeministri Plenkoviq shprehu urimet ndaj Kryeministrit Kurtit për formimin e qeverisë së re. Në vijim të takimit u bisedua rreth situatës në rajon, sigurisë dhe mbrojtjes, bashkëpunimit bilateral dhe luftimin e krimit të organizuar”.

Ata po ashtu folën edhe për mundësinë e një mbledhjeje të përbashkët mes qeverive.

“Rreth thellimit të bashkëpunimit, u diskutua edhe për mundësinë e një mbledhje të përbashkët mes dy qeverive”.

“Me Kroacinë ndajmë vlera të përbashkëta, dhe ajo është përkrahëse e jona për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian”, përfundon komunikata.