Lajme

Flasin familjarët e dy të rinjve nga Podujeva që u arrestuan në Serbi

Dy të rinj nga Podujeva, Rexhep Hoti dhe Gyven Azemi, janë arrestuar javën e kaluar nga autoritetet serbe, teksa dyshohet se ata po prisnin dru në territorin e Serbisë.

Familjarët e të arrestuarve kanë ngritur shqetësime për fatin e tyre.

Razije Hoti, nëna e Rexhep Hotit, ka treguar për Televizionin Dukagjini se e ka parë djalin e saj për herë të fundit mbrëmjen e arrestimit, por nuk ka mundur të komunikojë me të.

Ajo ka shtuar se nuk kanë mundur të marrin informacione për shkak të kushteve të vështira financiare dhe mungesës së qasjes tek autoritetet serbe.

“Djali është arrestuar të mërkurën pasdite. Djali i motrës bashkë me të. Në ora gjashtë e kemi marrë vesh… kanë shkuar për idare, kanë shkuar të marrin dru dhe i kanë zënë. Dhe tash ata i kanë marrë që një javë, asgjë nuk dimë për ta.

Në ora gjashtë na ka lajmëruar një serb, që i kanë nxënë dhe unë kam shkuar në ora 10 me taksi deri me Kurshumli, përkthejke ai serbisht… atë natë i kam takuar, ishin duke qajtë, më fol s’kemi mund pasi nuk na kanë lejuar. Më nuk dimë për ta”, ka thënë Hoti.