Startseite » A obligohet Prokuroria të shkojë në Zyrën e Kryeministrit – çka thotë Kodi i Procedurës Penale?
Lajme

A obligohet Prokuroria të shkojë në Zyrën e Kryeministrit – çka thotë Kodi i Procedurës Penale?

“Dëshmitari i cili për shkak të pleqërisë, sëmundjes ose të metave të rënda trupore nuk mund t’i përgjigjet thirrjes mund të pyetet jashtë Gjykatës”.

Janë këto arsyet e parapara në Nenin 129 të Kodit të Procedurës Penale, që e privilegjojnë një dëshmitar që të mos paraqitet në objektet e Sistemit të Drejtësisë për të dhënë dëshminë e tij, por jo edhe në vendin se ku është duke qëndruar.

Në rast se ekziston një prej këtyre kushteve, atëherë dhënia e dëshmisë dëshmitarit i lejohet që ta japë edhe në vendin se ku është duke qëndruar.

Gjykata dhe organet e hetuesisë mund të zhvillojnë procedurën e tyre, për të marrë në pyetje një dëshmitar edhe në Repartet e Spitaleve, në rastet kur dëshmitari është duke u trajtuar për ndonjë arsye shëndetësore.

Rast tjetër kur një dëshmitar mund të pyetet jashtë objekteve të Sistemit të Drejtësisë është edhe në shtëpinë e tij, nëse i njëjti për shkaqe të arsyeshme nuk mund të prezantojë në Gjykatë.

Rast tjetër kur mund të bëhet përjashtim që një dëshmitar të paraqitet në objektet e institucioneve të Drejtësisë për të dhënë dëshmi është në rastet kur ka tërmete apo ndonjë fatkeqësi natyrore.

“Kur dëshmitari ose eksperti i thirrur në shqyrtim gjyqësor nuk mund të paraqitet për shkak të sëmundjes kronike ose për shkak të pengesave të tjera, dëshmitari i tillë ose eksperti mund të merret në pyetje në vendin ku ai banon, përveç nëse dëshmitari apo eksperti i tillë është marrë në pyetje gjatë mundësisë hetuese të veçantë.” – thuhet në Nenin 285 Paragrafi 1.

Në këto raste, aparati shtetëror duhet të ndryshojë përditshmërinë e punës, që bën në objektet e tij dhe të zhvendoset përkohësisht për të marrë dëshminë e dëshmitarit (deri në përfundimin e dëshmisë), në objektet ku dëshmitari është duke qëndruar.