Lajme

Ukë Rugova zyrtarisht në listën e LDK-së

Në ditëlindjen e presidentit historik, Ibrahim Rugova, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku bëri të ditur se Ukë Rugova do të jetë pjesë e listës zgjedhore të këtij subjekti politik.

Ai tha se gjatë vizitës në familjen Rugova, e zyrtarizoi përfshirjen e Ukës në garën e radhës, e të cilit i uroi edhe mbarësi.

“Me zonjën Fana biseduam edhe për rrugën e filluar tre dekada më parë; për sakrificat e heshtura që e ndoqën; për vendosmërinë që nuk u thye asnjëherë, edhe kur Kosova ishte në udhëkryqin më të rrezikshëm të historisë së saj moderne. Dhe sot, kur shteti ynë përballet me sfida të reja, mesazhi i Rugovës mbetet po ai: forcë paqësore, përkushtim demokratik, orientim të pandryshuar drejt botës perëndimore”, ka shkruar kreu i LDK-së në Facebook, njofton Klankosova.tv.

Tutje, Abdixhiku pati disa fjalë edhe për presidentin historik i cili sot do ta festonte ditëlindjen e tij të 81-të.

Ai tha se drita e Rugovës nuk fiket, historia e tij nuk harrohet e rruga e tij nuk tjetërsohet.

“Presidenti ka vetëm ditëlindje. 81 vite më parë, më 2 dhjetor 1944, lindi Ibrahim Rugova; njeriu që e ktheu ëndrrën e lirisë në projekt politik, që e ndërtoi shtetin e përjetshëm që kemi, dhe që e vendosi Kosovën në hartën e botës si çështje të drejtë, të arsyeshme e të domosdoshme. Ai nuk ishte produkt i kohës së vet; ai ishte përpara kohës së vet. Rugova lindi në një familje të përndjekur; i mbijetoi dhimbjes së hershme, humbjes së babait dhe gjyshit, represionit e varfërisë. Por nga ai sfond i rëndë doli njeriu më i qetë, më i butë dhe njëkohësisht më i pathyeshmi që kanë njohur shqiptarët në shekullin e fundit”, tha ai.

“Sot, pas më shumë se tetë dekadave nga lindja e tij, ideja e Rugovës veçse po rritet. Sa herë Kosova kalon kriza, është qetësia e tij që kërkojmë. Sa herë humbasim orientim, është busulla e tij perëndimore që na rikthen në drejtim. Sa herë politika bie në zhurmë, është zëri i tij që na rikujton se shteti ndërtohet me dije, me argument dhe me durim. Kjo është arsyeja pse Rugova ka vetëm ditëlindje. Sepse drita e tij nuk fiket; historia e tij nuk harrohet; rruga e tij nuk tjetërsohet”, ka shkruar Abdixhiku.