Kur në Bruksel flitet për zgjerimin e Bashkimit Evropian, Kosova vazhdon të shfaqet me një yll pranë emrit të saj.
“Ky përcaktim nuk paragjykon qëndrimet mbi statusin dhe është në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së dhe opinionin e GJND-së mbi pavarësinë e Kosovës”, thuhet në dokumentet zyrtare të BE-së.
Megjithatë, Kosova mbetet i vetmi vend në procesin e zgjerimit që nuk ka status kandidati – dhe kjo gjendje nuk pritet të ndryshojë në të ardhmen e afërt.
Qëndrimi i paqartë i BE-së ndaj Prishtinës lidhet me faktin se pesë shtete anëtare – Qiproja, Greqia, Sllovakia, Spanja dhe Rumania – nuk e kanë njohur pavarësinë e saj që nga viti 2008. Por zhvillimet e fundit, përfshirë gjetjet e një anketimi të ri të Eurobarometrit Special, sugjerojnë se mund të ketë hapësirë për një debat më të gjerë.
Sipas Eurobarometrit vetëm 43 për qind e qytetarëve të BE-së mbështesin anëtarësimin e Kosovës – shifra e dytë më e ulët pas Turqisë.
Megjithatë, mbështetja në disa nga pesë vendet mosnjohëse është dukshëm më e lartë: Spanja (53%), Rumania (52%), Sllovakia (46%) dhe Greqia (45%). Në Francë (51%) dhe në Itali e Gjermani (nga 55%).
“Njohësit ndonjëherë mund të jenë më të vështirë se mosnjohësit për rrugën e Kosovës drejt BE-së”, vlerëson analistja politike Donika Emini, anëtare e Grupit Këshillimor të Politikave të Ballkanit në Evropë (BiEPAG).
Në një intervistë për The New Union Post, Emini thekson se heqja e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Prishtinës ka qenë një nga momentet që “e ka kthyer Kosovën vite prapa në procesin e integrimit evropian”.
Ajo shton se Kosova duhet fillimisht të zgjidhë çështjet e mbetura me Brukselin “përpara se të mendojë seriozisht për hapat e tjerë drejt kandidaturës”.
Mosnjohës “të butë” dhe “të ashpër”
Sipas Eminit, pesë shtetet që nuk e njohin Kosovën dallojnë mes vete në qëndrime.
Greqia konsiderohet si një “mosnjohës i butë”, pasi ruan marrëdhënie të mira me Prishtinën, por heziton për shkak të çështjes së Qipros. Spanja, në anën tjetër, mbetet më e ashpër për shkak të ndjeshmërisë së saj ndaj Katalonjës dhe historisë me bombardimet e NATO-s ndaj Jugosllavisë.
Sllovakia dikur kishte qasje më të hapur ndaj Kosovës, por qeveria aktuale e ka mbyllur zyrën në Prishtinë. Rumania mbetet pasive, ndërsa Qiproja mund të ndjekë shembullin e Greqisë në rast të një marrëveshjeje përfundimtare Kosovë–Serbi.
Aleatët që pengojnë përparimin
Emini paralajmëron se pengesat për Kosovën nuk vijnë vetëm nga mosnjohësit, por edhe nga disa shtete që e kanë njohur:
“Disa aleatë tradicionalë presin një sjellje të caktuar nga Prishtina dhe e penalizojnë atë kur nuk i bindet.”
Ajo vëren se përçarja mes opinionit publik dhe politikës shtetërore në BE është e theksuar. Edhe pse qytetarët e disa vendeve janë më të hapur ndaj pranimit të Kosovës, qeveritë – për shkak të krizave të brendshme dhe frikës nga e djathta ekstreme – shmangin çdo hap të guximshëm në politikën e zgjerimit.
Procesi që s’ecën përpara
“Çështje si njohja e Kosovës nuk shihen si beteja të denja politike”, shton Emini.
Sipas saj, kjo është arsyeja pse procesi i Kosovës në BE është i bllokuar: Komisioni Evropian, i udhëhequr nga Ursula von der Leyen, është lënë si “fytyra e vetme” e përkushtimit ndaj Ballkanit, pa mbështetjen e shteteve kryesore anëtare.
Ajo thekson se “problemi i vërtetë qëndron në mungesën e vullnetit politik në Gjermani e Francë”, të cilat jo vetëm që e kanë dekurajuar Kosovën nga aplikimi për anëtarësim, por “nuk kanë ofruar asnjë ndihmë gjatë presidencave të tyre në BE”.
Sipas saj, dialogu Kosovë–Serbi është në nivelin më të ulët të interesit të BE-së, ndërsa Brukseli aktualisht është më i përqendruar në vende si Shqipëria dhe Mali i Zi.
“Për Kosovën nuk po flitet për përparim në anëtarësim, por për t’u kthyer nga minus dy në zero”, përfundon Emini.
Megjithatë, ajo sheh një sinjal pozitiv në Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, ku Kosova është përfshirë pavarësisht se ndodhet ende nën masa ndëshkuese.
“Edhe pse Prishtina nuk ka kapacitet të zbatojë reformat për shkak të mungesës së parlamentit funksional, përfshirja e saj tregon se kur BE-ja dëshiron vërtet të veprojë, ajo mundet,” përfundon Emini./Telegrafi/











