Një atentat ishte planifikuar para dy vitesh kundër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Prek Kodra, një vrasës me pagesë i trajnuar mirë nga grupet mafioze e kriminale, do ta kryente këtë atentat. Operacioni “Metamorfoza” i diktuar nga përgjimet e Francës, Belgjikës dhe Holandës zbulon faktin se Kodra është një personazh i botës së krimit i porositur për vrasjen e emrave të njohur të kundërshtarëve të grupeve kriminale e mafioze. Ky personazh “u ekspozua dhe gjatë një e-maili që na u dha prej iranianëve ku flitej si një njohës i mirë i armëve të gjata, i dyshuar si snajperist dhe që do bënte atentat ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurti”, thoshte një gazetar i kronikës së zezë në një TV të Shqipërisë.
Kanë kaluar kaq kohë dhe askush nga shërbimet e sigurisë në Shqipëri dhe në Kosovë nuk kanë dhënë përgjigje për këtë çështje. Se Prek Kodra kishte bërë përgatitjet dhe kishte marrë masat e tij për vrasjen e Kurtit, kjo tashmë është bërë e njohur që asokohe. Por se kush janë njerëzit që e kanë nxitur, e kanë paguar dhe e kanë mbështetur, për këto nuk ka asnjë informacion dhe askush nuk e di se si Kodra ka ardhur deri te ideja dhe përgatitja për atentat kundër kryeministrit të Kosovës. Shërbimet e sigurisë kombëtare në Shqipëri e në Kosovë nuk kanë bërë punën e tyre., edhe pse vrasja e një kryeministri, sidomos të atij të Kosovës, çon në destabilizimin e menjëhershëm të Ballkanit.
Të planifikosh vrasjen e kryeministrit të Kosovës do të thotë të tentosh të krijosh një vatër të pashmangshme konflikti në rajon. Kjo do të çonte në përfshirjen në konflikt jo vetëm të Kosovës, por edhe të Shqipërisë, Serbisë e ndoshta shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Se kush është i interesuar për këtë destabilizim dhe konflikt tashmë është e njohur. Së paku tre prej këtyre personave janë të identifikuar: – Vladimir Putin, Aleksandër Vuçiq dhe Milorad Dodik. Për këta të tre nuk ishte e nuk është nevoja që SHIK-u në Shqipëri apo në Kosovë të japin ndonjë shpjegim. Por pyetja është se kush ndër politikanët dhe njerëz të tjerë të njohur në dy shtetet tona kishte dijeni dhe ishte ose është ende i interesuar për eliminimin e Albin Kurtit. Cilët nga politikanët shqiptarë bashkëpunojnë me Vuçiq dhe Dodik. Kush prej këtyre politikanëve shtrëngon duart me presidentin serb e atë të Republikës Srpska, ndërkohë që zvarrit rrugëve ish-presidentin e Shqipërisë.
Këto investigime janë dhe mbeten detyrë e shërbimeve të sigurisë kombëtare, sepse vrasja e një kryeministri është akti më i rrezikshëm për këtë siguri. Shërbimet sekrete në Kosovë e në Shqipëri duhet t’i japin përgjigje këtij shqetësimi serioz ndër shqiptarët. Në Shqipëri kam përshtypjen se në krye të Shërbimit Informativ është vënë njeriu i Beogradit. Por nuk e di pse ndodh kjo në Kosovë! Askush nuk mund të flejë dhe jetojë i qetë kur kryeministri i një prej vendeve tona kërcënohet me jetë dhe madje atij i planifikohen atentate. Për planifikim atentatesh kundër tij, ka njoftuar shpesh edhe presidenti i Serbisë. Por duket qartë se ai viktimizohet sa herë i duhet të fitojë kapital politik e elektoral në vendin e tij. Kryeministri i Shqipërisë jeton nën ankthin e një atentati, por së paku nuk është ankuar asnjëherë! Ndërsa Albin Kurti nuk u viktimizua në asnjë rast, edhe pse praktikisht Operacioni “Metamorfoza”, provon se atij i ishte afruar një vrasës me pagesë, me emër e mbiemër.
Por nuk dimë kush e pagoi? Kush e planifikoi këtë atentat? Albin Kurti nuk ka lidhje me bandat mafioze dhe të krimit të organizuar, ndaj nuk mund të jetë viktimë e tyre. Në këtë pikëpamje më i rrezikuar duhej të ishte kryeministri i Shqipërisë. Atëherë lind dyshimi i bazuar se e interesuar për likuidimin e kryeministrit të Kosovës ishte dhe është politika. Po kush prej kësaj politike e prej këtyre politikanëve? Ata të opozitës në Kosovë, që e krahasojnë Albin Kurtin me Milosheviçin e Rankoviçin, duke e kursyer krahasimin me Vuçiq?! Apo politika e Tiranës e cila bashkëpunon me politikanët ballkanas që nxisin destabilizimin e rajonit?! Duhet një përgjigje me përgjegjësi. Ndryshe rreziku qëndron i hapur në dyert e Kosovës e të të gjithë rajonit tonë!