Startseite » Gjykata Speciale ngre aktakuzë ndaj Thaçit, Smakajt, Kilajt, Fazliut e Hajredin Kuçit për ndikim mbi dëshmitarët
Lajme

Gjykata Speciale ngre aktakuzë ndaj Thaçit, Smakajt, Kilajt, Fazliut e Hajredin Kuçit për ndikim mbi dëshmitarët

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) e njohur si Gjykata Speciale ka ngritur akuzë të re ndaj Hashim Thaçit për vepra penale të pengimit të drejtësisë, sipas një Aktpadie të konfirmuar.

“Thaçi ndodhej në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës kur iu dorëzua një fletë-arrestim dhe ndaj tij janë ngritur tre akuza për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, tre akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Speciale.

Ai do të paraqitet para një Gjykatësi të Procedurës Paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës lidhur me akuzat për vepra penale shtesë të ngritura kundër tij.

ZP-ja ka arrestuar gjithashtu Bashkim SMAKAJN, Isni KILAJN dhe Fadil FAZLIUN në Kosovë sipas një fletë-arrestimi dhe urdhri transferimi të lëshuar nga një Gjykatës i Procedurës Paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës.

Smakaj, Kilaj dhe Fazliu janë transferuar në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dhe do të paraqiten edhe ata para gjykatës pa vonesa të papërligjura.

Hajredin KUÇIT i është lëshuar fletëthirrje për paraqitje para Dhomave të Specializuara e cila ka ngritur kundër tij dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) i dha ZPS-së mbështetje operacionale dhe logjistike, dhe Policia e Kosovës dha mbështetje operacionale.

ZPS-ja e merr pengimin e drejtësisë jashtëzakonisht seriozisht dhe do të vazhdojë të hetojë dhe ndjekë penalisht të gjithë ata që përfshihen në këtë veprimtari.